Tirana u përzgjodh për të zhvilluar finalen e parë të Conference League. Interesimi për këtë finale ishte shumë i madh si nga tifozët e Romës ashtu edhe nga ata të Feynordit.

Duke qenë se kaq shumë njerëz nuk ishin mbledhur ndonjëherë në Tiranë as në mitingjet e Saliut dhe as në ato të Lulit, Qeveria u gjet paksa në hall për mënyrën se si do ti menanxhonte.

Ministrat ishin duke vrarë mendjen se si të dilnin nga ky hall, por gomarin nga balta e nxorri si gjithmonë i zoti. Ishte Kryetari i Qeverisë ai që i kërkoi ministrit të brendshëm që vendoste rregjimin e vizave për shtetasit që nuk janë banorë të kryeqytetit dhe urdhëroi që asnjë jabanxhi të mos futej në Tiranë para orës 18.00 të së Mërkurës.

Ministri Çuçi urdhëroi shefat e komisariateve të bllokonin cdo rrugë hyrëse në Tiranë dhe t’i bënin një kontroll të imtësishëm të gjithë atyre që do të futeshin në kryeqytet. Ministri madje shpërndau edhe një qarkore për të gjithë policët me një grup pyetjesh që do tu bënin të gjithë atyre që do tentonin të futeshin në Tiranë.

Në test kishte pyetje mbi shprehjet e urta tironce, këngët tironce, gatimet tradicionale dhe të gjithëve do tu kërkohej edhe sllogani tironas, i cili do të shërbente edhe si një lloj çelësi hyrës në qytet ose si password.

Po ashtu u udhëzuan policët e postblloqeve që të mbanin edhe një shishe me raki të mirë, ose ndonjë arkë me birra dhe cdo qytetari që pretendonte se ishte tironc puro, t’i bëhej testi i pijes. Nëse nuk e kalonte testin, të kthehej pas, nëse e kalonte, të futej brenda çëfësht, për ngarje automjeti në gjendje të dehur.

Teksa po diskutoheshin këto masa, Ministrit të Brendshëm i erdhi një ankesë nga Kryetari i Bashkisë, i cili shprehte shqetësimin se shumë qytetarë të Tiranës, po kërkonin të strehonin në shtëpitë e tyre, tifozë italianë dhe hollandezë, duke u shpallur konkurencë të hapur hoteleve.

Kryetari i Bashkisë kërkonte që jo vetëm të ndalohej hyrja e qytetarëve në Tiranë, po të gjendej një mënyrë për të nxjerrë edhe qytetarët e Tiranës jashtë qytetit.

Në këtë pikë Ministri i Brendshëm i hodhi një sy portaleve dhe aty pa foton e Alibeajt në plazh, ditën kur PD-ja po votonte kryetarin e ri dhe aty i erdhi një ide, nga ato që vijnë vetëm njëherë në jetë. Ai mendoi se mënyra më e mirë për ti nxjerr tironcit jashtë qytetit, ishte tua shpallnin ditën e Mërkurë pushim. Kjo ka funksionuar edhe herë të tjera.

Ideja e tij u mirëprit edhe nga kolegët e tjerë dhe u vendos që e Mërkura të shpallej ditë pushimi. Madje për të nxitur qytetarët që të merrnin makinat dhe të dilnin jashtë qytetit, Qeveria vendosi të ulë edhe cmimin e naftës, madje Bordi i Monitorimit u ka kërkuar edhe restoranteve, sidomos atyre në jug të vendit, që të ulnin cmimet, qoftë edhe vetëm për të Mërkurën.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.