Stina e plazhit ka filluar dhe me vendim nga Qeveria, që të marrësh lejen për të shfrytëzuar plazhin, subjektet private duhet të kenë edhe roje në kullat e vrojtimit. Të vetmit që janë interesuar për të marrë lejet, kanë qënë vetë administratorët e plazheve që kanë marrë përsipër të bëjnë edhe vrojtuesin.

Disa gojëligë thonë se kjo është sa për sy e faqe. “Pronarët barkderra as nuk hipin dot te kullat e vrojtimit, por edhe nëse hipin, nuk do kenë takat të vrapojnë dhe të hidhen në det për të shpëtuar ata që po mbyten” – u shpreh një plazhist.

Por një pronar plazhi, që sapo kishte marrë liçensën si vrojtues, i hodhi poshtë këto pretendime kokëpalarësh.

Ismihal Kokodardha thotë se kulla e vrojtimit ka rëndësi jetike për mbarëvajtjen e plazhit të tij dhe se ai vetë hipën në kullë, herët që pa gdhirë dhe zbret vetëm kur mbyllet plazhi. Madje, ai aty pinte edhe kafen e mëngjesit.

“Të gjithë pronarët e tjerë e kuptojnë rëndësinë dhe leverdinë e këtyre kullave vrojtuese. Ja unë vetë, që herët në mëngjes, hipi lart dhe vrojtoj nëse puntorët e mi i kanë nxjerrë të gjitha shezlonget, nëse i kanë rreshtuar në rregull. E kam qejf estetikën, ngaqë kam pak dell artisti” – u shpreh Kokodardha duke shtuar se kulla e vrojtimit e ndihmonte edhe të vëzhgonte se mos ikën ndonjë plazhist pa paguar çadrën.

“Janë bërë fare të pafytyrë shqiptarët sot. U dhimbsen ato shtatë mijë lekë të qelbta që japin për një çadër dhe dy shezllongje. Shiko ç’rërë ka plazhi, na i merr të keqen edhe Dubai dhe me çmime badiava fare.” – shpjegoi Kokodardha duke mos ia ndarë shkimin një çifti që sapo i erdhi në plazh.

Pasi i fishkëlleu punëtorit dhe i tregoi me gisht myshterinjtë e rinj, nisi të tregonte marifetet e plazhistëve që duan, ku e ku, të ta fusin.

“Vijnë vetëm dy veta në fillim dhe paguajnë dy shezllongje dhe kur punëtori nuk e ka mendjen, fap, rrëmbejnë ndonjë shezllong nga çadra që kanë afër. Duan të kursejnë atë shtatëmijë lekshin e qelbët” – rrëfeu pronari i plazhit duke treguar se njëherë pati idenë ti lidhte shezllongjet me zinxhirë pas çadrave, por pastaj kishte ndërruar mendje.

“Nuk jemi barbona që të bëjmë nga këto gjëra. Kam fytyrë e namuz dhe tek e fundit burri për një nder jeton. Pastaj njeriu nuk duhet ta prishë qederin vetëm për kaq gjë, sepse lekët e shezllongut, ja marr te birrat e te restoranti” – tha Kokodardha duke shtuar se plazhi i tij ka rregullore strikte.

“Nëse vjen këtu, do pish e do hash te restoranti im. Ndryshe ta bëj makinën viza-viza e ti çaj gomat me kaçavidë. Kur jam në kullën e vrojtimit, nuk shoh nga deti, se nuk më jep lek uji e kripa. Shoh nga rëra, nga çadrat, nga restoranti e nga parkingu. Aty i bëj sytë katër.” – sqaroi Ismihali duke përmendur se që nga kulla e vrojtimit, ai mund të shihte edhe nëse i vinin ata të tatimeve.

Kur e pyetën si ja bënte në rastet kur mund të kishte nevojë për ndihmë ndonjë pushues në det, ai u përgjigj se në det përgjegjësinë e ka vetë plazhisti.

“Nëse futesh në det, dmth ti di not. Ndryshe mos të të hajë bitha të lahesh. Rri aty në breg e mos u largo” – deklaroi pronari duke shtuar se aty në rërë ishte zot ai vetë, ndërsa tutje në det, zoti ishte vetë Zoti.

By Ormonjola Tallazi

Ormonjola Tallazi është gazetarja më në zë, të cilë nuk i ndihet zëri, madje nuk i ndihet as puna. Por e njeh mirë fushën e saj që në kohën kur bënte reportazhe fushave. Njihet për reputacion të patundur, vec rasteve kur e tund shefi.