Lëkundje të forta janë ndjerë sërish në të gjithë Shqipërinë si pasojë e një tërmeti që ra në Bosnjë-Hercegovinë.

Nisur nga kjo Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mbledhur stafin e tij në një takim urgjent për të analizuar situatën e dëmeve në Tiranë.

Një nga këshilltarët raportoi se nuk ka pësuar dëmtime asnjë nga monumentet, shatërvanët, trotuaret apo pllakat e Pazarit të Ri, si edhe parqet e inaguruara nga vetë kryetari.

“Ky është pa dyshim një lajm i mirë, kjo tregon se është mirëshpenzuar leku i duhur për këto vepra, por nuk mund të ndalemi me kaq” u shpreh Veliaj duke shtuar se në të ardhmen mund të ketë sërish tërmete që mund të shkatërrojnë punimet unike që kemi ndërtuar në dy mandatet e para dhe këto që priten të ndërtohen në mandatin e tretë dhe të katërt.

“Ja kemi dalë mbanë shumë sfidave dhe nga zelli i madh për ti shërbyer miletit, harruam tërmetin. Ndaj propozoj të miratojmë unanimisht ngritjen e Agjencisë së Parashikimit të Tërmeteve” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Një nga këshilltarët shtroi pyetjen se kush do të financojë këtë institucion por Veliaj ju përgjigj se për këtë kishte menduar Lali Eri.

“Qytetarët e Tiranës prej vitesh kanë dëshmuar se ata nuk kursehen kur flitet për të përmirësuar kryeqytetin e tyre dhe për të jetuar si evropian” shpjegoi Veliaj duke shtuar se nëse vendoset një taksë e vogël mujore prej 1000 lekësh nuk është asgjë në krahasim me stresin që përjeton tironsi kur ndjen se po bie tërmet.

Si fillim do të ngrihet APT, do të regjistrohet në QKR dhe pasi të marrë licensën në QKB do të jepet me PPP. Më tej Kryebashkiaku udhëzoi që taksa e APT të implementohet tek fatura e ujit pasi tubacionet e ujësjellësit janë të parat që pësojnë dëme në raste tërmeti.

Në fund të mbledhjes, pyetjes se a mund ta përballojnë qytetarët këtë taksë, Veliaj ju përgjigj “Më mirë një tërmet në portofol sesa një tërmet në metropol”.

By Ormonjola Tallazi

Ormonjola Tallazi është gazetarja më në zë, të cilë nuk i ndihet zëri, madje nuk i ndihet as puna. Por e njeh mirë fushën e saj që në kohën kur bënte reportazhe fushave. Njihet për reputacion të patundur, vec rasteve kur e tund shefi.