Skandali abuziv i mjekëve të Onkologjikut në Tiranë që u zbulua nga hetimet e prokurorisë solli indinjatën e opinionit publik. Ndërkohë që organizatat e shoqërisë civile kërkojnë marrjen e masave urgjente dhe opozita kërkon dorëheqjen e ministres së shëndetësisë, nuk ka vonuar të reagojë edhe kryeministri Rama.
Në një takim me gazetarët, Rama bëri një pasqyrë të situatës së spitaleve dhe sistemit shëndetësor duke folur për ecurinë dhe problematikat në 11 vite qeverisje.
“Është e tmerrshme që këta palaço doktorë abuzojnë me detyrën e shenjtë dhe u marrin para pacientëve të shkretë. Është e pafalshme edhe fakti që me këto para, ata duan të bredhin nëpër Maldive, ndërkohë që mediat presitigjioze europiane por edhe ato britanike dhe italiane, e konsiderojnë Shqipërinë si një “Maldive të dytë” – deklaroi i indinjuar kryeministri Rama.
“Kemi investuar në rroga, infrastrukturë, shërbime dhe medikamente, me qëllim që mjekët të mos na ikin në Gjermani por edhe ata që kanë ikur, të kthehen e bëjnë këtë vend si Gjermania” tha Rama duke shtuar se “duket ashiqare që peshku është qelbur nga koka, dhe koka nuk është ministrja apo unë, se ne nuk marrim vesh nga shëndetësia. Koka janë doktorët”.
“Doktorëve sot nuk u zihet më besë, pasi janë të prirur të shkojnë drejt korrupsionit. Doktorët e shohin botën nga lart dhe të gjithë pacientët u duken klientë. Këtyre doktorëve jepu cfarë të duash, e jep vulën, të kërkojnë pulën, u jep mandatin, të japin mandat-faturën” – sqaroi Rama pa sqaruar se për cilin doktor e kishte fjalën.
Më pas Kryeministri bëri të ditur se qeveria kishte ca kohë që po studionte një nismë e cila do të startonte me shëndetësinë por me kalimin e kohës do të implementohej edhe në fushat e tjera.
“Edhe pse e kemi bërë Shqipërinë kopësht me lule e trëndelinë, shqiptarët për arsye të paditura, vijojnë të ikin. Vendi po përballet me mungesë të krahut të punës dhe me mungesë të njerëzve të kualifikuar. Shto edhe këta doktorët që dikur laheshin në Dhërmi, e sot duan të shkojnë në Maldive.
Por le të dalim në temë. Një fjalë e urtë e popullit tonë mistrec thotë “Nëse do që një punë të bëhet mirë, atëherë bëje vetë”. Këtu do të bazohet edhe nisma jonë e quajtur “Vetëshërbimësia 2024-2034”.
Nën sloganin “I gjithë populli doktor”, kjo nismë do të hapë programe trajnimi dhe kualifikimi për të gjithë shqiptarët ku të paktën një anëtar i familjes të bëhet doktor dhe më pas ai të bëjë vetë trajtimin, kurimin madje edhe operimin e kujtdo në familje.
Këtë nismë do ta ndjek personalisht hap pas hapi. Do hiqet fare betimi i Hipokratit, doktorët e së ardhmes do bëjnë betimin e Kryeministrit.
Çdo lagje do të ketë sallën e operimit ku sipas grafikut cdo doktor mund të kryejë ndërhyrje kirurgjikale te familjarët e vet. Kjo realizon edhe ëndrrën e hershme të prindërve shqiptarë që gjithmonë kanë dashur ta kenë një fëmijë me profesion doktor.
“Vetëshërbimësia 2024-2034” do të ulë në zero korrupsionin dhe do të shmanget abuzimi dhe do ta çojë shëndetësinë shqiptare në nivele të papame” – tha kryeministri duke shtuar se këto arritje do të reflektohen në zgjedhjet e 2034 ku pritet fitorja e padiskutueshme e Partisë Socialiste.
Nëse kjo nismë jep rezultate të mira në shëndetësi (dhe do ti japë patjetër se ndryshme do bëhem me nerva e nuk do di kujt do ja shfryj), atëherë do ta implementojmë në cdo fushë tjetër ku cdo familje shqiptare të ketë në gjirin e saj jo vetëm një doktor, por edhe një polic, avokat, gjyqtar, përmbarues e çdo profesion që ka nevojë përditshmëria” – tha Kryeministri Rama duke u kërkuar ndjesë gazetarëve që nuk kishte kohë për pyetje-përgjigje sepse edhe pse kishte bërë shumë punë, i kishin mbetur akoma shumë punë për të bërë.
Një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur se shumë shpejt do të lancohej portali “e-Vetëshërbimi” ku pacientët dhe hallexhinjtë mund të regjistroheshin për të përfituar nga kurset dhe trajnimet falas.