Pas dinosaurëve, tanimë rradhën e kanë qeset plastike që të zhduken. Duke qenë se astereoidi 7335 (1989 JA) kaloi shumë larg tokës, për zhdukjen e qeseve plastike mendoi ta bëjë Qeveria.
Ligji që hyri në fuqi në 1 Qershor, ndalon tregtimin e qeseve njëpërdorimëshe nga të gjithë shqiptarët kudo qofshin, në market, në treg, në qendra masazhesh apo motelet njëorëshe.
Lajmi u prit menjëherë me kundërshti nga Opozita, që e kuptoi se heqja e qeseve nga qarkullimi pikërisht në fazën kur po zgjidhet Presidenti i vendit, ishte një vendim i mirëmenduar dhe shumë i studiuar nga Qeveria.
Opozita e Alibeajt u shpreh se me heqjen e qeseve, mazhoranca dha sinjalin se nuk do kemi një President të ri, por një figurë të konsumuar dhe të përdorur.
“Me heqjen e qeseve, Shqipëria i humbi përgjithmonë shanset për të pasur një President të ri fringo, apo një President në qese” – u shpreh për mediat, kryetari i grupit parlamentar të PD-së , Enkejled Alibeaj.
Reagime ka pasur edhe nga Rithemeluesit. Përfaqësues të këtij grupimi, janë shprehur se pas këtij vendimi, qëndrojnë interesa klienteliste të qeverisë, e cila ka hequr qeset për ti zëvëndësuar me trasta apo torba. “
“Kjo qeveri do të na e fusi kokën në torbë, por ne nuk e hamë këtë koqe ulliri” – u shpreh për mediat rozë katrani me bojë.
Vendimi është përshëndetur nga ana e shoqatave ambjentaliste, por gjithashtu kanë komentuar se ky është një vendim gjysmak, i cili duhet të kompletohet edhe me masa të tjera. Antiqeseologët kanë kërkuar që përveç qeseve, Qeveria të heqë edhe shishet plastike, lulet plastike, orizin plastik si dhe të ndalojë edhe operacionet plastike.
Këto kërkesa kanë nxitur reagimin e shoqatave të romëve dhe arumunëve. Ata kanë deklaruar se ky ishte një vendim diskriminues dhe Qeveria po u hiqte bukën e gojës, pasi ata me atë të shkretët plastikë e siguronin ushqimin.
Reagime ka patur edhe nga tregtarët e shumicës, të cilët ankohen se me këtë vendim Qeveria po i dërgon drejt falimentimit.
“Rritja e çmimeve të shumë produkteve bëri që qytetarët të blejnë më pak, tani ata do të blejnë edhe më pak, pasi do tu duhet kohë që të mësohen që të marrin një trastë me vete kur të vinë në Pazar” – u shpreh një tregtar i fruta-perimeve.
Edhe shoqata e psikologëve kishte rezerva ndaj këtij vendimi. Ata thanë se heqja e qeseve plastike do të shkaktojë më shumë stres tek qytetarët.
“Një qytetar i cili del nga shtëpia duhet të sigurohet që ka marrë me vete portofolin, çelësat, telefonin, syzet e diellit, të sigurohet që nuk ka lënë gjë në furrë apo që nuk ka lënë ndonjë çezmë hapur dhe përveç gjithë këtyre duhet të kujtohet të marrë edhe një trastë me vete dhe bashkë me trastën të kujtojë edhe se çfarë pazari duhet të bëj. Janë shumë gjëra për tu kujtuar dhe kjo mund të sjell pasoja për kujtesën afatshkurtër” – u shpreh një psikologe.
Nga ana e saj Qeveria shprehet e vendosur për vendimin e saj, duke thënë se këtë po e bënte për të mbrojtur mjedisin. Dhe ajo që është më kryesorja, për të të rritur numrin e lindjeve, të cilat sipas raporteve më të fundit kanë rënë ndjeshëm për shkak të përdorimit të qeseve njëpërdorimëshe.