Kryeministri ka shpallur një nismë të re, ai ka vendosur që asnjë prej anëtarëve të kabinetit qeverisës nuk duhet të ulet në kafe me biznesmenë. Ministrave u ndalohet gjithashtu hyrja nëpër kazino.
Ky vendim, i cili ka hyrë në fuqi që në momentin që hyri në mendjen e kreut të qeverisë, iu komunikua ministrave në mbledhjen e radhës të qeverisë.
Vendimi u prit me një kollitje të lehtë nga Blendi Klosi, me një dridhje të lehtë tërmetore nga Damian Gjiknuri, me një vështrim të ftohtë prej tigri nga Arben Ahmetaj dhe nga disa psherëtima “jalla c’na gjeti” nga ministret femra.
Pas këtyre reagimeve spontane, mbizotëroi një qetësi makashiane e cila thyhej nga zëri i një kukuvajke në sfond. Zëri i kukuvajkës u dha kurajo disa ministreve dhe ministrave, të cilët i kërkuan kreut të qeverisë ta mendonte edhe njëherë. Reagimi i Kryeministri ishte i qartë dhe i prerë” Gjënë që e mendoj një herë, nuk e mendoj dy herë”.
As lutjet e Elisës dhe as zëri melodioz i Belindës nuk ia kthyen dot mendjen. Kreu i qeverisë ishte mëse i vendosur që të mos i lejonte anëtarët e kabinetit qeverisës që të pinin kafe me biznesmenë.
Heshtjen e theu Olta e cila vendosi ta nxirrte jashtë atë që mbante brenda duke ia kujtuar Kryeministrit, se shumë ministre i kanë bashkëshortët biznesmenë, të ndershëm sic i kërkon partia, të pasur sic i kërkon krushqia. “Sipas këtij vendimi, nuk duhet të ulemi në kafe as me burrat tanë?!” – thuhet se kishte thënë ajo me një zë të fortë dhe të sigurt, sikur të ishte duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Kryeministri ishte shprehur që ministrat mund të pinin kafe me partnerët e tyre biznesmenë vetëm me një kusht “ata duhet të heqin dorë nga bizneset që kanë”.
Pas kësaj përgjigje asnjëri prej anëtarëve të kabinetit qeverisës nuk foli më, disa filluan të merreshin me telefonat, ndërsa disa të tjerë kërkuan leje për të shkuar në tualet.
Më pas mbledhja vazhdoi me pikën e dytë të rendit të ditës. Në këtë pikë u vendos që të ngrihej një bord monitorimi mbikqyrës për ministrat që do guxonin të shkonin në kafe me biznesmen apo larg qoftë tu shkonte mendja të futeshin nëpër kazino.
Kjo e fundit nuk i shqetësoi aspak ministrat burra, pasi asnjëri prej tyre nuk kishte lek vec rrogës, madje atë ua dorëzojnë grave.