Ndërkohë që e gjithë vëmendja botërore është mbërthyer në Ukrainë, qeveria mezi po gjen kohë për tu marrë me një cështje që nuk është e rëndësishme por si i thonë fjalës “për tu heq është”.
Bëhet fjalë për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do të marrin me qera godinën e Presidencës dhe të ngrohin kolltukun e Tij duke u bërë kështu garant të Kushtetutës deri sa t’i mbarojë kontrata e qirasë ose deri kur të shkarkohet nga ndonjë komision hetimor që mos e dhëntë as Zoti e as Parlamenti. Për ata që nuk janë në dijeni, qiraxhiut aktual i mbaron kontrata e në 22 Korrik, dhe duhet të dalë nga godina fiks në orën 16.00 (plus 5 minuta sa zgjat zbritja e shkallëve të Presidencës).
Qeveria ndërkohë ka krijuar një triumvirat trepalësh, të tre nga e njëjta palë për të përcaktuar kriteret e Presidentit të ardhshëm, ku tre pro-konsujt Balla, Spiropali dhe Gjiknuri pas disa debateve në heshtje kanë rënë dakort për kriteret që duhet të plotësojë kandidati apo kandidatja për President.
Themeli i kritereve bazohet mbi një citat të vetë Kryeministrit Rama i cili specifikisht ka kërkuar që Presidenti i ardhshëm të jetë “normal”
Nga kamarieri që i shërben kafen Ballës, Qeveria.org ka marrë vesh disa nga kritere nga drafti paraprak të cilat po i bëjmë publike për të gjithë të interesuarit.
- Presidenti nuk duhet të jetë nga krahina e Matit. Kandidatët nga Mati, sidomos ata me mustaqe kanë tendencë që të mos e lëshojnë kolltukun e Presidentit dhe mund të na kthejnë vendin nga Republikë në Monarki duke u vetëshpallur mbret. Thuhet se ky lloj Presidenti i ka edhe duart e gjata drejt bankave por në epokën digjitale kjo nuk është më problem.
- Presidenti nuk duhet të ketë qenë komunist i orëve të para dhe madje as i orëve të dyta apo të treta, pasi një president i tillë mund t’i ketë orët e numëruara.
- Presidenti nuk duhet të jetë me profesion kardiolog dhe të jetë nga Tropoja. Një i i tillë mund ta shpallë Presidencën si “tokë e xanum” dhe mund të marrë edhe tapetat e sixhadet e zyrës kur i mbaron mandati.
- Presidenti nuk duhet të jetë apo të ketë qenë më parë socialist, të ketë pasur mjekër apo të ketë qenë profesor nga Shkencat e Natyrës. Ai duhet të jetë noter i Kushtetutës dhe nuk i duhet askujt një noter që di shumë mirë veprimet aritmetiko-algjebrore. Një person i tillë mund t’i duhet më shumë opozitës.
- Presidenti nuk duhet të ketë qenë ushtarak. Përjashtim bëjnë vetëm ata kandidatë që kanë pasur gradën gjeneral, që janëtrima si Moisi Golemi dhe që dinë të luajnë shumë mirë shah, tavëll, murlan, pesëkaç dhe sidomos domino ku e thajnë dopiogjashtën.
- Kriteri më i rëndësishëm dhe i panegociueshëm: Presidenti nuk duhet kurrsesi-largqoftë-pupupu të jetë nga Skrapari, të jetë tifoz me Selltikun apo Sarisalltikun dhe të jetë adhurues i librave të Allendes. Presidenti nuk duhet të jetë i apasionuar pas recitimit të poezive në dëbore, hedhjeve të vetes me këmbë në det dhe praktikimit të alpinizmit nëpër Male me Gropa sa herë që bën sherr me ambasadorët dhe ndërkombëtarët. Shënim: mbi të gjitha nuk duhet të ketë shtëpi tek Gjiri i Lalëzit apo ndonjë gji tjetër. Shqipëria ka nevojë për President dhe jo për heronj, pasi heronj kemi plot, na dalin e na teprojnë që nga Mic Sokoli, Avni Rustemi, Vojo Kushi dhe Supermeni.
- Kriter opsional: Presidentin mund dhe duhet ta propozojë opozita duke sjellë emrat për kandidatë deri më 10 Maj. Sigurisht që qeveria nuk do ta pranojë por rëndësi ka mendimi.