Ditën e premte lideri i sapovulëzuar i opozitës Sali Berisha mbushi 6 muaj i ngujuar pa dëshirë brenda mureve të shtëpisë, në respekt të vendimit të GJKKO-së. Ҫuditërisht ngjarjet terse për Berishën ndodhin gjithmonë në datat 21 por kësaj here ishte afati kur i skadonte mandati i deputetit për shkak të mosprezencës në kuvend.

Sipas njerëzve pranë Berishës bëhet e ditur se lideri e ka një plan A për tia thyer noҫkën asaj kulҫedrës së kuqe sorrosiane. (Sqarojmë se Berisha e ka hequr nga përdorimi termin “plan B” sepse i kujton Bashën, ndaj për referencë, ҫdo plan është vetë m “plan A”).
Plani në fjalë është i thjeshtë por gjenial dhe bazohet në një traditë shqiptare.

Të gjithë e dimë që, kur shkojmë në kafe dhe bëjmë porosinë, kamarieri e sjell kafen në tavolinë. Por si veprohet në rastet kur ti shkon në tualet dhe të mos ta zërë njeri tavolinën? Atëherë mbi tavolinë lihet një send, xhaketën, kapelën ose diҫka që i përket të zotit të tavolinës. Në këtë mënyrë ajo “dicka” mbi tavolinë përfaqëson prezencën dhe kushdo e kupton që ajo tavolinë nuk është bosh.
Po kështu do të veprohet edhe në rastin e Berishës. Një deputet i besuar, do të vendosë mbi karriken e Berishës në kuvend, një send personal që i përket liderit dhe kështu sipas “ligjit të kafes”, Berisha konsiderohet i pranishëm në seancën që do të zhvillohet të enjten.

Afati i mandatit të deputetit automatikisht rinovohet dhe në vijim deputetët demokratë duhet të përsërisin gjestin fisnik pas 6 muajsh.
Por cfarë do të lihet mbi karriken apo tavolinën e deputetit të Berishës në kuvend? Përgjigja është e thjeshtë: Këpuca e djathtë, pikërisht ajo me të cilën Sali Berisha ka hyrë për herë të parë në kuvend.

Mes shumë artifaktesh të tjera, lideri ende ruan në muzeun personal këpucët e para që mbathi kur u bë deputet. Një demokrat u shpreh se me këto këpucë, Berisha i ka bërë gol ҫdo qeverie dhe ҫdo sistemi, ndaj një këpucë e Atij mbi tavolinë do jetë simboli se kësaj qeverie duhet ti vihet shkelmi.

Bëhet e ditur se këpucët vijnë pak erë, por kjo e bën edhe më të lehtë identifikimin me anë të ADN-së, në rast se kryetarja e kuvendit dyshon se këpuca nuk i përket Berishës.

Nëse ky plan realizohet, atëherë këpuca e Berishës do ti bashkohet historisë së opozitës bashkë me cizmen e Monika Kryemadhit.
Ende nuk dihet se si do të futet këpuca e Berishës në kuvend pasi gardistët i bëjnë sytë katër sidomos me ata që kanë një këpucë tepër, por demokratët shprehen plot vetbesim se do ja dalin mbanë.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.