Qyteti bregliqenor i Ohrit ka mirëpritur udhëheqësit e 5 vendeve ballkanike në kuadër të nismës “Open Ballkan”.

Në takimin e Ballkanit të Hapur, ai që ka folur më hapur ka qenë kryministri Rama. Teksa në mënyrë simbolike po rrinte shalëhapur, ai foli hapur për një martesë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së , ku sipas Ramës, BE-ja ishte në rolin e nuses dhe Ballkani në rolin e burrit.

Si krushk i parë, Rama ja ka bërë të qartë Nuses, se Dhondrri nuk ka për ta veshur kostumin e dasmës dhe madje kur të bëhet ceremonia, as nuk ka për ta djeg shaminë e beqarit. (se me këto zjarret nuk i kemi mirë punët këto ditë)

Rama ka vënë në dukje gjithashtu se dasma po vonohet për faj të Nuses, ndaj shpenzimet e dasmës i takojnë asaj, ndërsa ai si Dhondrri ka marrë përsipër vetëm ahengun.

“Mos harroni një gjë, edhe po nuk u martuan, neve nuk na mbetet Dhondrri në derë. Madje na lusin për dasëm.” deklaroi Rama

Përmendja e fjalës “dasëm” nga ana e Ramës, duket se ka zemëruar Kosovën, të cilës pak vite më parë Rama i kishte premtuar për martesë. Ajo që i ka ndezur më shumë zjarret ka qenë edhe historia e Donaldit me Beatriksin.

Në këtë pikë Kosova i ka shpallur hatër-mbetje Shqipërisë. Kryeministri Rama nuk e ka pritur mirë këtë dhe për pak sa nuk u rrëzua kur e mori vesh dicka të tillë.

Për të mos përfunduar nëpër gjyqe divorcesh me Kosovën si Johnny Depp me Amber Heard, Rama u zotua të vendosë paqen mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk dihet ende se si do ia bëjë kryeministri Rama për tu pajtuar me Kosovën, do të heq dorë nga dasma me BE-në, apo do të shpallë ndonjë ligj ku të lejojë poligaminë.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.