Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka marrë vendim për ti njohur ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të drejtën e dorëheqjes duke e lënë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vjet duke i shpëtuar Vettingut.

I zotuar tek ndërkombëtarët se do të realizojë reformën në drejtësi brenda mandatit Kryeministri Rama në një bashkëbisedim me gazetarë i ka siguruar të gjithë se Vettingu bëhet me cdo kusht.

“Amerikanët na kanë porositur që rrjeta e Vettingut duhet të kapë peshqit e mëdhenj të sistemit të drejtësisë. Dhe pa as më të voglin dyshim Llalla ishte ndër peshqit më të mëdhenj” u shpreh Rama.

“Llalla është peshk i madh madje i sprovuar të notojë në ujë të turbullt. Varka e Rilindjes ka peshkatarë të devotshëm por si të rinj në zanat ne kishim frikë se do na çahej rrjeta e Vettingut dhe nga e çara do na ikte e gjithë tufa me të mëdhenj e të vegjël” shpjegoi kryeministri duke shtuar se nisur nga këto motive të arësyeshme ishin detyruar të zbatonin praktikën “kap e liro” dhe ta linin Llallën të notonte i lirë drejt detrave të Italisë.

Me tej Kryeministri Rama garantoi se kjo nuk e zbehte aspak vrullin e qeverisë në përmbushjen e premtimit madhor për realizimin e reformës në drejtësi.

“Herët a vonë rrjeta e Vettingut do ta kapë sërish ish-kryeprokurorin por kësaj herë ai nuk do ketë më shpëtim dhe po ju premtoj se peshkun e madh Llalla do ta bëjmë sushi” deklaroi Rama.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.