Në kuadrin e zgjidhjes së krizës Presidenti Meta ka ftuar në një takim të përbashkët kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha për të gjetur gjuhën e përbashkët përballë situatës zgjedhore. Ftesa e Presidentit mirëpriste dy politikanët në ambientet e kafenesë së Presidencës nga ora 5:00 e mengjesit deri ne oren 13:00.

Banakieri presidencial ka njoftuar Klient Force One dmth Presidentin që ora 5:00 ishte tepër herët dhe nuk mund të garantonte ngrohjen optimale të ekspresit. Ndaj për një mbarëvajtje të procesit të përgatitjes së kafesë, duhet të anullohej ora 5:00 ose të shtyhej pas orës 6:00 por Presidenti nuk ka pranuar ta rishkruajë dekretin.

Vetë kryeministri Rama sapo ka marrë ftesën e Presidentit ja ka lënë “seen” për disa minuta dhe më pas i ka bërë reply: Jom i zon. Kom zgjedhje.

Ndërsa kreu i opozitës Basha ka konfirmuar ftestën dhe ka mbërritur në orën 9:00 por është konfliktuar me rojet tek dera e Presidencës që nuk e kanë lejuar Bashën të parkojë makinën brenda ai nuk është zyrtarisht deputet i Kuvendit duke i sugjeruar të parkonin tek parkinget publike të Bashkisë.

Basha ka kundërshtuar duke deklaruar se ai refuzonte të paguante para që shkonin në xhepat e korruptuar të Lali Erit dhe ka kërkuar praninë e Presidentit si faktor neutral për të zgjidhur krizën e parkimit.

Presidenti Meta ka dalë pa humbur kohë dhe ka nisur negociatat me palët dhe në fund është arritur marrëveshja që makina opozitare të parkohej para hyrjes së Presidencës dhe çunat dmth gardistët ti hidhnin një sy se mos vinin policët bashkiakë për gjoba.

Më pas Meta dhe Basha janë ulur në kafene ku Basha sipas protokollit duke i qëndruar rigoroz ftesës ka porositur vetëm një kafe të shkurtër ndërsa Presidenti duke e ditur që faturën do ta paguante kryeopozitari ka porositur një kapucino me shllak dhe nja dy brioshë.

Sipas kamarierit që shërbeu kafet, biseda mes Bashës dhe Metës u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe përmbante fjalët “e kshtu, kshtu, po ça ke bo nai gjo, a shtyhet noi çik” e të tjera tema të tjera aktuale.

Pasi kanë mbaruar kafet, Presidenti i ka bërë më shenjë kamarierit të merrte lekët nga Basha pa harruar edhe kuponin tatimor ndërsa ka porositur stafi që brioshët tja conin në zyrë pasi do ti ekzekutonte më vonë.

Duke e përcjellë për tek makina, Presidenti Meta siguroi Kryeopozitarin Basha se do të vazhdonte të garantonte kushtetutën deri në ditën e fundit.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.