Prej disa ditësh ishulli i Sazani, ishte i përfshirë nga flakët, madje u dëgjuan edhe shpërthime. Tani, kohë lufte jemi, edhe do ketë shpërthime. Por ato kanë qenë larg.

Ministria e Mbrojtjes u përpoq ta shuante zjarrin me forcat e veta, por nuk ia doli dot. Një pjesë e ushtarëve nuk shkonin dot në ishull, sepse nuk dinin not. Ndërsa ata që dinin not, kishin fobi nga gjarpërinjtë. Ata që nuk i kishin frikë gjarpërinjtë e që dinin not, ishin të tërë me LSI-në, ndaj u la fare si muhabet.

Për shuarjen e zjarreve erdhën në ndihmë fqinjët tanë jugorë. Grekët u shprehën se nuk e kishin fare me përtesë që erdhën në Sazan, madje mund të rrinin përgjithmonë në këtë ishull në mënyrë që të ndalonin zjarret e tjera që mund të binin në të ardhmen. Grekët kanë përvojë sepse kanë shumë detra dhe Sazanë. Madje po të donte Qeveria, ata garantonin shuarjen e zjarreve deri në Shkumbin, por kjo u la me kismet.

Por tani që u shuan zjarret në Sazan, ka marrë zjarr një diskutim nga Qeveria. Pyetja e nxehtë si patate që piqet në zjarr, është se: çfarë dreqin e shkaktoi këtë zjarr?!

Ekspertët zjarrologë thonë se flakët nisën ditën që po mbahej seanca parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nisur nga kjo, ata thonë se zjarri në ishullin mistik të Sazanit mund të jetë vënë qëllimisht nga perënditë pellazgjike, të cilat nuk e kanë kapërdirë dot faktin që mazhoranca nuk propozoi për president të përzgjedhurin e tyre, njishin e tavolinave të debatit dhe të rehatit, Sazan Gurin.

Por një flakolog e hodhi poshtë teorinë për Sazan Gurin. Sepse, zgjedhja e Presidentit nuk pati zjarr fare, vetëm pak tym. Madje edhe tymi ishte i bardhë si nga konklava e Vatikanit, ndërsa zjarret e ishullit të Sazanit nxorrën tym si bloza e zezë.

Flakologu parashikoi se zjarre të tjera mund të priteshin diku nga periudha Post-Korrik, dhe jo për Presidentin, por nga ish-Presidenti Meta, i cili ka premtuar se do përvëlojë Qeverinë më keq se dragonjtë e Game of Thrones.

“Qeveria është e mbuluar nga korrupsioni dhe korrupsioni është katran me bojë. Të dyja këto janë elementë të djegshëm që do ta pjekin Qeverinë dhe Kryeministrin, si dashi që bëhet kurban për Bajram. Kuptohet që nuk po flasim për Presidentin Bajram Begaj” – mësohet se ishte shprehur Meta, diku po hajde merre vesh se ku.

Por mendimi i një këshilltari pranë Qeverisë ndryshoi tërësisht kursin e diskutimit.

“Për sa kohë që ishulli është i pabanuar, do ketë zjarre e nuk do ketë se kush ti shuajë” tha këshilltari, duke sugjeruar se zgjidhja perfekte dhe pa kosto për Qeverinë, është që, ishulli ti jepet privatit.

Sipas tij, investitorët do hapnin resorte, klube, porte e plot gjëra. Dhe sigurisht që do ti hapë sytë natë e ditë për të mbrojtur investimin e tij. Po ti jepet ishulli një investitori strategjik serioz, të jeni të sigurtë se në Sazan nuk do guxojë të shkelë as zjarri e as tatimori.

“Të mos harrojmë qershinë mbi tortë: Do krijohen vende pune” tha këshilltari dhe në sallë ra heshtja.

Pa e zgjatur më, Kryeministri urdhëroi të hapen sirtarët, e të kërkohet një dosje e vjetër, ku brenda saj ka qënë ëndrra për ta privatizuar Sazanin.

“Kur themelova idenë për Open Balkan, na u vu kundër Opozita por na përkrahu bota. Ndaj, që sot të ngrihet një grup pune për të realizuar projektin “Open Sazan” i cili do jetë i papamë fare”. – deklaroi Kryeministri duke u thënë ministrave se ishulli i Sazanit do jetë Monte Carlo e Ballkanit.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.