I ndodhur në kushtet e arrestit shtëpiak, ish-Kryeministri Sali Berisha ka ka filluar të bëjë xhiro në tarracën e pallatit ku banon. Siç dihet, rekordet nuk janë diçka e pazakontë për një politikan me shpirt sportiv si Berisha i cili ka lënë pas rekordmenë të botës në not, ngjitje malore dhe bredhje bregdetare. Ndaj ishte mëse e natyrshme që edhe aty në tarracë, do ta thyente një rekord.

Sipas filmimit video nga një komshi okular, del se Berisha ka realizuar plot 1776 xhiro.

Debatet shpërthyen nëpër studiot televizive dhe analistët e interpretuan këtë shifër, që në mënyrë simbolike tregon vitin kur u shpall pavarësia e SHBA-së, armiku politik i Berishës.

Kur u llogaritën hapat dhe gjatësia e përshkruar, rrugëtimi rezultoi se ishte sa distanca Spanjë-Kubë. Ky itinerar është një nga udhëtimet e Kristofor Kolombit që në përpjekje për të zbuluar Amerikën, mbërriti në Kubë dhe pikërisht në Guantanamo.

Pra, larg e larg ish-Kryeministri po bën të qartë se Rama dhe SPAK po kërkon ta shohin Berishën te 313, e cila njihet ndryshe si “Guantamano Shqiptare”, burgu ku janë mbyllur padrejtësisht figurat e kombit.

Ndërkohë që analistët vijojnë me debatet mbi xhirot e Berishës, bëhet e ditur në zyrën e Kryeministrit Rama ka mbërritur një letër nga selia e Rekordeve Botërore Guinness.

Përmbajtja e saj ende nuk dihet, por zarfologë të njohur thonë se letra mund të jetë një kërkesë e Guinness drejtuar Ramës për të lejuar specilistë të Rekordeve Guinness për të asistuar në xhirot e Berishës me qëllim certifikimin e rekordit.

Një kërkesë e tillë zor se mund të plotësohet nga Kryeministri Rama, pasi dihet që ai ka alergji të ndërhyrjë në vendimet e gjykatave. Por mendohet se ai mund të vendosë në dispozicion të Rekordeve Guinness, satelitët Albania 1 dhe Albania 2 për të regjistruar nga ajri xhirot e Berishës.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.