Kohë më parë Institucioni i Kulturës dhe Trashëgimisë në shtetin Serbisë arriti të regjistronte në UNESKO dy instrumentë mjaft të njohur lahutën dhe çiftelinë.

Opinioni shqiptar thuajse u trondit nga ky përvetësim ashiqare i kulturës tonë pasi dihet që lahuta dhe çiftelia janë dy instrumentë simbol vetëm i shqiptarëve dhe janë monumente kulture që mbrohen nga interneti.

Por pas lahutës dhe çiftelisë, Serbia arriti të regjistronte si të vetën edhe një tjetër simbol të shqiptarëve, dhallën.

Specialisti i sektorit të trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Hazër Xhevapi deklaroi se lajmi që serbët na morën edhe dhallën, ja kishte bërë trutë dhallë.

“Nuk e kuptoj se si ja dolën serbët të bindnin UNESKON që dhalla nuk është shqiptare, kur të gjithë personalitetet shqiptare që nga koha e Skënderbeut e deri në vitin 1991 e kanë patur dhallën pjesë të pandarë të menusë në cdo vakt” tha specialisti duke shpjeguar se kur u miratua pakti i 5 Qershorit në Kuvendin e Lezhës të gjithë të pranishmit ngritën dolli me dhallë nga stani i Lek Dukagjinit.

Më tej z.Xhevapi solli të tjera ngjarje nga historia ku edhe Ismail Qemali gjatë të gjithë udhëtimit nga Durrësi për në Vlorë nuk e ndau damixhanin e dhallës së freskët pasi pubet dhe klubet ishin mbyllur për shkak të pandemisë.

“Pikërisht kur të gjithë shqiptarët i kishit sytë nga Haga se mos na burgosej Hashimi, serbët gjetën rastin dhe e shfrytëzuan më së miri duke na rrëmbyer edhe atë pak trashëgimi që na kishte mbetur. Politika na mori në qafë…” tha z.Xhevapi që mezi e mbante veten dhe ishte gati në të qarë.

“Nuk mund ta besoj se si jemi katandisur kështu, nuk na ka mbetur më asgjë shqiptare. Imagjinoni, do ulem për të ngrënë në restorant me nipat dhe mbesat Fernandezin, Antonelën, Dhimitraqin dhe Xhonin dhe do porosisim kamarierin: na bëj paidhaqe greke, sallatë greke, nga një gotë dhallë serbe dhe në fund një kafe turke” shpjegoi specialisti duke shtuar se në fund të drekës të gjithë do mbanin rradhët tek wc-ja alla frënga.

Në fund të bisedës Hazër Xhevapi i bëri thirrje institucioneve qeveritare që të investojnë vëmendje por edhe para për të mbrojtur trashëgiminë tonë sepse kështu si po shkojnë punët, grekët apo serbët do na rrëmbejnë në UNESKO edhe byrekun e Pilo Lalës.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.