Një prodhim kinematografik tërësisht shqiptar do ti mbërthejë shikuesit para ekranit duke premtuar dinamika të papara ngjarjesh historike.
Filmi i shumëpritur “Lulëkuqet poshtë pallatit” rrëfen ngjarjet që ndodhin në një jetimore ku jepte mësim një profesori që admirohej nga nxënësit e vegjël por që urrehej nga drejtori fashist, (na falni, drejtori artist).
Një ditë nxënësit zbulojnë se drejtori shpirtlig kishte dhënë me koncesion mensën e jetimores dhe racionet e bukës nuk ishin në gramaturën e duhur. Dita-ditës copat e bukës bëheshin edhe më e vogla, derisa u zhdukën fare.
Jetimët e vegjël iu drejtuan instancave përgjegjëse, dmth kuzhinierit por ai u tha se i kishte qëndruar rigoroz recetës dhe se nëse kishin ankesa duhet ti drejtoheshin drejtorit. Nxënësit dërguan një peticion te portali online i drejtorit dhe menjëherë u erdhi përgjigje në inbox ku shkruhej se kuzhinieri do hetohej për shpërdorim të detyrës ose të bukës.
Kaluan ditë por asnjë ndryshim, jetimët për hicgjë taksoheshin dhe i linin pa bukë. Atëherë ata iu drejtuan profesorit dhe i shpjeguan situatën. I indinjuar, profesori u tha jetimëve që të nisnin menjëherë protestat dhe të kalonin në mosbindje civile. Nëse këto nuk do jepnin rezultat, profesori sugjeroi aktin e fundit ndaj drejtorit, të hynin në grevë urie.
Jetimët i thanë profesorit se kishin disa ditë pa bukë dhe se praktikisht ishin në grevë urie. Ndërkohë që profesori po mendonte hapin e rradhës, në derën e jetimores mbërritën dy oficerë të kuesturës ku i thanë se numri i tij i telefonit ishte përzgjedhur dhe se kishte fituar një dyshek që do t’ia dërgonin në shtëpi.
Profesori si njeri i sinqertë dhe i padjallëzuar, vrapoi në shtëpi për të parë dyshekun që kishte fituar por aty gjeti oficerët e kuesturës që e njoftuan se ishte në hetim si frekuentues i një klubi ku takohej me partizanë. Deri në një vendim të dytë, atij i ndalohej të dilte nga shtëpia.
Që atë mbrëmje jetimët u mblodhën poshte pallatit me qerpiç ku jetonte profesori dhe brohorisnin për ti shprehur mbështetjen. Profesori dilte herë pas herë në dritare dhe duke vënë në rrezik veten, u fliste jetimëve të vegjël që të mos humbisnin shpresën.
Roli i profesorit i është besuar aktorit Sali Berisha (Artist i Rithemeluar) dhe do të shfaqet ekskluzivisht në platformat DigiSal dhe Vulë On Demand.