Që kur u zgjodh President i Republikës, Metës i humbi interesin për përfshirje në politikë dhe e ka gjetur veten më shumë duke kaluar jo pak kohë mes popullit kokëpalarë duke demostruar talentin e tij si valltar.

Pasionin për kërcimin Meta e ka pasur të hershëm dhe e ka shpalosur kur vallëzonte si profesionist sa majtas e djathtas herë me legjendën Sali Zekthi dhe herë me balerinin e ri por premtues Esdalin Rama.

Situatat koreografike të viteve të fundit nuk ja mundësuan më Metës të angazhohej si balerin i parë në asnjë nga trupat e baletit qeveritare apo opozitare ndaj e vetmja mënyrë për të mbajtur veten në formë i mbetën sebepet presidenciale dhe ato popullore.

Nga njëri event në tjetrin, Presidenti Meta e ndjeu se hedhja e këmbëve sipas ritmit të valleve popullore tradicionale dhe bashkohore ishte mënyra më e sigurtë për të mbetur në tregun artistik dhe politik. Interesante ishte fakti që Meta shihte se gjatë valleve njerëzit hidhin edhe lekë dhe kjo i bënte eventet tërheqëse por edhe vetëfinancuese.

Duke parë popullaritetin në rritje të Metës sa herë kërcen Baftjarin, stafit të Presidentit i lindi ideja për ta materializuar pasionin e shefit në një spektakël madhështor me titull “Dancing with the President” ku përmes audicioneve do ftohen të marrin pjesë konkurentë të cilët do të kenë mundësinë ekskluzive të vallëzojnë me Presidentin Ilir Meta.

Kjo ide është origjinale pasi presidentët e mëparshëm kishin reputacion për të kërcyer në vend numëron e nuk kanë qenë aspak të zotë të kërcenin majtas dhe djathtas madje ndonjë prej tyre i detyruar nga mjeshtri Sali Zekthi kërceu vetëm nga belaja.

Ende nuk dihet se cili televizion do të ketë ekskluzivitetin të transmetojë “Dancing with the President” por producentët shprehen se spektakli do të jetë sukses i garantuar.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.