Krahas ngricave rrugëve në zonat malore i ftohti Siberian ka sjellë borën në shumë qytete. Në Tiranë por edhe në Durrës ky fenomen natyror ndodh për herë të parë pas 7 vitesh.

Kryeministri Rama në një postim në rrjetin social Twitter e ka konsideruar si një ngjarje të rrallë dhe madhështore duke shtuar se “Përpjekjet e një pune të gjatë dhe të lodhshme po japin rezultat. Më në fund bora e bardhë po mbulon kryeqytetin duke konfirmuar realizimin e ëndrrës së shqiptarëve në këto 27 vite demokraci”

Më tej Rama sqaron se vetëm kryeqytetet europiane si Berlini, Parisi, Viena dhe Londra e që mbështesin pa rezerva qeverinë e rilindjes  mbulohen në dimër nga bora. Acari dhe ngricat janë mëse të nevojshme për të stërvitur shqiptarët me motin e ftohtë. Kryeministri pohon se dimrin e ardhshëm do të finalizohen negociatat me BE dhe Shqipëria do të jetë anëtare e saj. Natyrisht që shumë shqiptarë do shkojnë të punojnë e jetojnë ku të dëshirojnë nëpër BE.

Por si mund të jetojnë e punojnë lirisht shqiptarët në BE në rast se nuk janë të ambientuar me të ftohtin europian?

Prandaj bora na ka rënë nga qielli si me porosi” shkruan Rama duke shtuar se kjo e mirë i erdhi Shqipërisë falas duke i kursyer buxhetit plot 35 milionë Euro pikërisht kur sapo ishte aprovuar kompania që do të merrte me koncesion mbulimin e Tiranës me borë artificiale.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.