Nga burime thuajse të sigurta në qeveri mësohet se është gati për tu vënë në zbatim projekti i cili do të zgjidhë shumë nga problemet e lypësave që enden rrugëve të kryeqytetit.
Në një takim mes përfaqësuesve të Shoqatës së Lypësave Profesionistë dhe kryeministrit Rama ky i fundit është shprehur se e konsideron të turpshme që qeveritë e mëparshme apo bashkitë nuk kanë bërë asgjë për këtë industri por qeveria që ai drejton nuk do të rrijë duarkryq.
Rama u bëri të ditur ka firmosur projektin në fjalë i cili parashikon krijimin e strukturave të cilat do të lehtësojnë lypjen, ndërtimin e një terminali dhe një risi: një aplikacion dedikuar lypësave.
Duke zbuluar detaje nga projekti, kryeministri Rama bëri të ditur se për herë të parë do të do të bëhet klasifikimi i lypësave në 3 kategori: semaforë, këmbësorë dhe kafetorë.
Semaforët do të lejohen të lypin vetëm tek makinat që ndalojnë në semafor, lypësit këmbësorë do tu lypin vetëm kalimtarëve në trotuar ndërsa ata kafetorë do të mbulojnë zonat me bar-kafe.
Terminali që do të ndërtohet nga Bashkia do të strehojë në fund të ditës të gjithë lypësat e kryeqytetit me qëllim të ata të clodhen e të mbledhin forcat për ditën e nesërme dhe në mëngjes herët do të bëhet shpërndarja e lypësave drejt fronteve të punës.
Parashikohet edhe ndërtimi i aplikacioni i cili do të ofrojë një hartë dixhitale e cila do të orientojë lypësit duke i njoftuar se cila rrugët janë në konstruksion nga Bashkia. Sic dihet kur në rrugë kryhen punime qarkullimi i automjeteve është i kufizuar, po ashtu edhe kalimtarët janë më të paktë dhe kjo ndikon direkt në xhiron ditore të lypësave.
Gjithashtu përmes këtij aplikacioni përdoruesit do të njoftohen për ditët e festave dhe eventet me qëllim që lypësat të zhvendosen në vendet ku pritet të ketë turma njerzish.
“Por të mos harrojmë dicka thelbësore. Lypja vërtet bazohet në donacione por mbetet rentabël ndaj si i tillë ai duhet deklaruar dhe tatuar” u tha Rama duke shtuar se lypësit duhen fiskalizuar duke u regjistruar në organet tatimore.
Lypësave do tu jepen disa muaj kohë të punojnë “tax free”. Pas kësaj periudhe seicili prej tyre do të pajiset me nipt dhe kasë fiskale që do të thotë se kuponi tatimor do të jetë marrëdhënia e re mes lypësave dhe klientëve.
“Lypësat nuk kanë arsimimin e duhur, nuk dinë gjuhë të huaja dhe nuk dinë të marketojnë veten. Nuk fitohet leku duke thënë vetëm “M’fal 100 lek të dhontë Zoti dashnore”. Në vitin 2024 kryeqyteti nuk mund të ecë drejt Europës me lypësa që punojnë si në 1980″ deklaroi Rama duke premtuar se në mandatin e tij të katërt do të hapë Akademinë e Lypjes e cila do të jetë e para në botë.