Bëhet e ditur se deputeti britanik Neil Parish ka dhënë dorëheqjen. Ai vete pranoi se kishte parë video nga ato me “pullë të kuqe” gjatë seancave të parlamentit, raporton BBC.
Deputeti pohoi se i kishte parë videot pa dashje. Sipas tij, hera e parë ishte aksidentale ndërsa hera e dyta ishte për kuriozitet.
Deputeti 65-vjeçar u pezullua nga partia e tij konservatore për këtë incident dhe u detyrua të jepte dorëheqjen. Bëhet e ditur se ishin dy deputetë që e kishin raportuar kolegun pasi e kapën gafil.
Por nga ana tjetër deputeti i gjorë nuk ka aspak faj.
Të gjithë e dimë sesa të mërzitshme janë seancat në parlament. Je i detyruar të dëgjosh pa fund suksese historike nga Qeveria, premtimet e mbajtura nga Kryeministri dhe arritjet e papame nga të gjitha ministritë. Nuk të lë rehat as opozita që vazhdimisht e kritikon qeverinë që nuk bën asnjë punë por ja fut gjumit. Ndaj deputeti i shkretë për të mos e zënë gjumi gjatë fjalimeve, ka kullotur sytë nëpër ato videot me feçka.
Burime pranë deputetit bëjnë të ditur se ai nuk ishte i lidhur me wirelessin e parlamentit. Por po përdorte internetin e tij personal, që nuk paguhet nga taksapaguesit.
Shqetësues është fakti që është spiunuar nga kolegët e tij. Kjo tregon që parlamenti britanik ka ende SHIK-sa mes tyre dhe nuk janë larguar ende nga e kaluara komuniste-moniste-laburiste. Nga ana tjetër, kolegët spiunë, thonë vetëm që e kanë kapur gafil. Po të kishte ndodhur në Shqipëri, deputetin mund ta kishin kapur jo vetëm gafil, por edhe me “karafil” në dorë.
Pastaj tek e fundit, deputeti po shihte video me “yp xhixhi” si një kapedan i vërtetë. Këtu cdo mashkull në botë mund të shprehë solidaritetin në zë dhe në heshtje me deputetin.
Një zëdhënës nga Partia Konservatore tha se problemi kryesor ishte që videot ishin me “pullë të kuqe” si ngjyra e partisë rivale, laburistes. Dhe kjo konsiderohej si tradhëti e rëndë ndaj ngjyrës së partisë konservatore që është bluja.