Në Pallatin e Kongreseve kreu punimet Konferenca e Parë Kombëtare Antikorrupsion për masat e marra në luftën kundër korrupsionit.
Të gjithë ata që morën pjesë në këtë konferencë u detyruan nga rojet e pallatit të kongreseve që të bënin be se nuk ishin të korruptuar.
Këtij procesi ju nënshtruan të gjithë pjesëmarrësit duke nisur nga ambasadorja amerikane dhe kryeministri Rama e deri tek nëpunësi më i thjeshtë.
Ambasadorja amerikane zuri be kokën e presidentit Xho Biden se nuk ishte e korruptuar, ndërsa kryeministri Rama mësohet të ketë thënë ”Mu mbylltë Ballkani i Hapur” që nuk jam i korruptuar.
Ministri Ulsi Manja zuri nja 184 herë be, “mos u futshim në BE” që nuk ishte i korruptuar, ndërsa Arben Ahmetaj mësohet të ketë thënë “ngelsha pa lekë në xhep” nëqoftëse kam futur ndonjë lek në xhep.
Mësohet se të gjithë betimet e ministrave, drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë kanë qenë bindës dhe prandaj ata janë lejuar të futen brenda. I vetmi betim i dyshimtë ishte ai i bërë nga një sanitare, e cila jo vetëm që nuk u lejua të futej brenda konferencës kundër korrupsionit, por ju nënshtrua një kontrolli nga ana e strukturave antikorrupsion. Gjatë kontrollit, ju gjet në xhep 200 lekë, të cilin nuk e justifikonte dot me të ardhurat që merrte. Strukturat antikorrupsion e sekuestruan shumën si provë materiale, dhe SPAK-u bëri be se do ta ndiqte me shumë vëmendje këtë rast.
Pas këtij incidenti, konferenca vazhdoi punimet mbi strategjitë që do të ndiqeshin në luftën kundër korrupsionit.
Ambasadorja amerikane u shpreh se deri tani peshën kryesore të luftës e kishte mbajtur SHBA ndaj ajo kërkoi që të luftonim edhe ne nga pak, se nuk bëhej qameti. Kryeministri Rama u shpreh se qeveria e tij kishte luftuar mjaftueshëm ndaj korrupsionit, por nuk kishin armë. Ai ka kërkuar nga SHBA-ja që t’I sillnin më shumë armë të sofistikuara, pasi korrupsioni kishte prekur sistemin dhe ishte ky i fundit që korruptonte çdo njeri që futej në system.
Kryeministri ynë deklaroi se sistemi ynë korruptiv ishte aq i fortë sa mund të korruptonte edhe gjermanët. “Nëse vëmë një gjerman në Drejtorinë e Kadastrës së Sarandës, brenda ditës ai do të pushtohet nga korrupsioni” – mësohet të jetë shprehur kryeministri Rama. Frika se mos infektohej nga virusi korrupsionus, ishte edhe aryeja se përse Kancelari Gjerman nuk e vizitoi Shqipërinë, gjë që ia kishte konfirmuar edhe kryeministrit tonë në takimin e Selanikut, para se ky i fundit të bënte atë shakanë me kripë për Bullgarinë Perëndimore.
Në konferencë u hodhën shumë ide dhe propozime në mënyrën se si duhet të luftohej korrupsioni. Ministri i drejtësisë Ulsi Manja, u shpreh drejt e drejtë se territoret që korrupsioni ka nën kontroll janë kryesisht gjykatat dhe prokurimet publike, apo më saktë ata që shpërndajnë tenderat.
Për të ulur korrupsionin në gjykata, ministri Manja propozoi mbylljen e një numri të madh gjykatash në të gjithë vendin. Në mbështetje të ministrit të tij, erdhi kryeministri Rama, i cili u shpreh se me tenderat nuk do të merren më ministritë dhe administrate, por një kompani e huaj, e cila do të zgjidhet me tender.
Një propozim tjetër për luftën ndaj korrupsionit erdhi edhe nga një përfaqësues i bordit të transparencës. Ai bëri transaparent një studim, sipas të cilit arsyeja kryesore se përse ndodhte korrupsioni ishin paratë. Anëtari u shpreh se populli do kryente më pak korrupsion, nëse do kishte më pak para në xhepa. Për të luftuar korrupsionin duhet të boshatisen xhepat e qytetarëve dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është ngritja e çmimeve, pak te nafta e pak te uji- u shpreh anëtari i bordit.
Ndërkohë që brenda Pallatit të Kongreseve luftohej dhëmb për dhëmb me korrupsionin, jashtë tij një grup i madh qytetarësh u mblodhën në një protestë.
Qytetarët kërkuan që t’i jepet fund luftës ndaj korrupsionit e cila vazhdonte prej 30 vitesh. Ata janë shprehur se lufta kundër korrupsionit po i rriste çmimet shumë më tepër se lufta në Ukrainë.
Për të qetësuar turmat e qytetarëve të cilët hidhnin parrulla kundër luftës, ka menduar drejtori i ASHK, Artan Lame. Ai u tha qytetarëve se nuk kishte nevojë të luftohej ndaj korrupsionit, pasi ai nuk egziston.
Si provë të kësaj, Lame publikoi disa kërkesa nga vartësit e tij për rritje rroge. Vartësit i kishin kërkuar atij, që nëse rrogat shkonin nga 2000 në 7000 euro, ata nuk kishin nevojë të merrnin më rryshfetet e qelbura apo sic quhet në gjuhën shkencore, të korruptoheshin.