Sikur të mos i mjaftonte tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë, kryebashkiakët dhe deputetët me axhenda personale si dhe gazetarët mistreca që bëjnë pyetje me speca, Qeverisë i ka dalë edhe një tjetër problem, me UFO-t.

Banorët e një fshati në Gramsh raportuan në media për disa djegie bari në formë rrethore. Kjo formë djegie mund të shkaktohej ose nga ndonjë xhirim gomash ose sic quhet në gjuhën teknike drifting, ose nga UFO-t, ose nga ndonjë aktivitet i të Kreut të Qeverisë i cili i ka shumë qejf bashkëbisedimet në formë rrethore.

Duke qenë se në fshat askush nuk kishte naftë as për të lëvizur makinat nga vendi e jo më për të xhiruar gomat dhe meqenëse kryeministri kishte qenë shumë i zënë në bashkëbisedime me banorë surrelas dhe zyrtarë brukselas, nuk mbeti tjetër shpjegim: shenjat e rrathëve ishin bërë nga alienët.

Menjëherë qeveria kërkoi nga SPAK që të hetonte për këtë rast, por SPAK nuk iu përgjigj aspak. Kjo bëri që kreu i qeverisë t’i tërhiqte veshin kreut të SPAK njëlloj sikurse kishte bërë dikur me djalin e Neritan Cekës kur ky i fundit ishte ambasador. Nga ana e saj, ambasadorja amerikane e intepretoi terheqjen e veshit ndaj SPAK si tërheqje veshi ndaj ambasadores dhe për këtë arsye vendosi ti përgjigjej kreut të qeverisë me të njëjtën mënyrë, pra me shkulje veshi.

Duke qenë se thirrja e tij për të hetuar rastin e UFO-ve në Gramsh ra në vesh të shurdhër dhe bëri që ti çanin veshët, kreu i qeverisë urdhëroi ministrat dhe të bënin veshët katër në mënyrë që të grumbullonin sa më shumë informacion në lidhje me zbritjen e alienëve.

Ben Ahmetaj e shihte zbritjen poshtë nga UFO-t si shenjë e arritjeve lart të qeverisë, ndërsa ministri i brendshëm u shpreh se fakti që ufot kishin djegur barin do të thoshte se ata mbështesnin masat e marra ndaj trafikut të lëndëve narkotike.

Ministri i drejtësisë ishte i mendimit se simboli me djegje nuk ishte një shenjë e mirë dhe se ato mund të tentojnë të djegin reformën në drejtesi. Në të njëjtin mendim me të ishte edhe ministrja e shëndetësisë, e cila shkoi edhe më tej. Ajo u shpreh se rrethi ose unaza në gjuhën mjekësore quhet bypass dhe kjo mund të ishte nje shenjë që ufot ishin bërë bashkë me atë qoftëlargun i cili dihet që ka qenë kirurg, pra që është marrë me bypasse.

Nga ana e saj, ministrja e sporteve deklaroi se formë rrethore kanë edhe rrotat e shtangës dhe se ufot mund të kenë ardhur për të mbështetur shtangistin që ata zgjodhën për president 5 vite më parë.

Lidhja e rrathëve në Gramsh me shtangën, i shtangu të gjithë dhe kushedi sa do kishin ndenjur të shtangur sikur të mos kishte ndërhyrë kryebashkiaku Veliaj. Ai tha se UFO-t mund të jenë tifozë të Romes ose Fejnordit dhe kanë ardhur për të parë finalen e Conference League.

Meqenëse nuk kanë gjetur vend në hotelet e Tiranës, alienët kanë shkuar në Gramsh. Na vjen mirë për Gramshin, por nuk është mirë që na rrëmben turistët, u shpreh Veliaj. Më tej, Veliaj shtoi se jo vetëm në Tiranë por edhe në Gramsh duhet të nisë rilindja urbane, dmth ndërtimi i kullave, në mënyrë që Shqipëria të arrijë kapacitetet e duhura për të pritur jo vetëm turistë nga toka por edhe nga hapësira.

By Ormonjola Tallazi

Ormonjola Tallazi është gazetarja më në zë, të cilë nuk i ndihet zëri, madje nuk i ndihet as puna. Por e njeh mirë fushën e saj që në kohën kur bënte reportazhe fushave. Njihet për reputacion të patundur, vec rasteve kur e tund shefi.