Njeriu më i pasur i botës, Elon Musk bleu kompaninë e njohur amerikane Twitter për rreth 44 miliardë dollarë. Por mesa duket Elon Musk nuk ka ndërmend të kënaqet me kaq.

Sipas një postimi në Twitter, ai tani ka ndërmend të blejë DASH-in. Por, fakti që DASH mund të përfundojë në duart e një njeriu të vetëm, ka alarmuar politikën shqiptare.

Kryeministri Rama në një bashkëtakim me gazetarët, u shpreh se rënia e DASH në duart e Elon Musk, do të ketë impakt të fortë në qeverinë që ai bashkëdrejton.

Rama tha se ka dërguar një grup pune me në krye Erionin për të takuar Elonin, me qëllimin për të biseduar rreth disa pikave që e shqetësojnë Kryeministrin në lidhje me blerjen e DASH-it.

Shqetësimi kryesor është se pas blerjes së DASH, Elon Musk do ketë fuqinë ti heqë masën “non grata” ish-kryeministrit Sali Berisha. Kujtojmë se në një intervistë televizive, Musk u shpreh se mund të riaktivizonte accountin e bllokuar në Twitter të ish-presidentit Donald Trump.

“Nëse ai zhbllokon accountin e Trumpit, atëherë mund ti heqë non gratën Saliut. Kjo nuk duhet të ndodhë asesi e askurrsesi. Por gjithsesi, nëse Eloni ka ndërmend të ti hyjë kësaj pune, ai le ti heqë non gratën ndonjë të pafajshmi që e kapi lapsi kot nasi kot, si fjala vjen, Gjushit. Por vetëm atij, asnjë tjetri.” – bëri të qartë Kryeministri.

Më tej Rama tha se blerja e DASH-it i jep fuqinë e plotë Elon Musk të emërojë apo të shkarkojë ambasadorët amerikanë nëpër botë.

“Unë u bëra telef duke akuzuar SPAK-un ndërsa ambasadorja amerikane Kim shkon e i takon përditë për kafe. Nuk e di ajo, që kafet janë element korruptiv?! Nuk e di ajo që unë ja kam ndaluar edhe ministrave të pinë kafe?!” – tha Rama duke shtuar se një pikat e forta që do ti kërkohet Elonit, si kusht për vazhdimin e marrëdhënieve SHBA- Qeveri, është shkarkimi i ambasadores Kim, sepse po na ngatërrohet nëpër këmbë.

Nga ana tjetër, Kryeministri bëri të ditur se nëse plotësohen këto kërkesa, Qeveria ka një ofertë që Elon Musk nuk do ta refuzojë.

Oferta përfshin heqjen nga qarkullimi i të gjitha automjeteve që përdorin naftë e benzinë dhe zëvendësimin e tyre me makina elektrike Tesla.

“Që kur nisi kriza e luftës në Ukrainë, shqiptarët na kanë çarë daullen e veshit për çmimet e karburantin. Janë të larta, thonë shqiptarët që brenda mandatit të parë u bënë të gjithë me X5, dhe tani më kërkojnë që tua ul çmimin e naftës. Por jo vetëm që nuk do ti ul hiç fare, por do ti heq për fare. Ankoheni nga nafta, atëherë do ti bëj naftën. Së shpejti Shqipëria dhe më pas edhe Open Ballkan do përdorin vetëm makina elektrike.” – deklaroi Rama, duke shtuar se taksën e qarkullimit që merrej nga nafta, tani do tu vendosej te fatura e energjisë elektrike.

Rama tha se kishte arritur një bashkëdakortësi me Kryebashkiakun Erion Veliaj për ndryshimin e emrit të lumit “Lana”, që në nder të Musk tani do të quhet lumi “Elana”. Vërtet që në Lanë derdhen ujërat e zeza por ne do ti japim Elon Musk një licensë për të ndërtuar një hidrocentral mbi lumin që do mbajë emrin e vet.

“Energjia elektrike që do prodhohet nga lumi Elana do tu vihet në dispozicion qytetarëve për të karikuar bateritë e makinave Tesla. Karikimi i parë do të jetë falas, por vetëm për ata që kanë aplikuar në e-Albania” – sqaroi Kryeministri duke zbuluar se Elonit i kanë pregatitur edhe një ofertë suprizë.

“Prej shumë kohësh, Musk ëndërron të bëjë të banueshëm Marsin dhe të ndërtojë pallate e resorte në planetin e kuq. Qeveria i ofron ti braktisë këto plane dhe të investojë në fshatrat e Jugut duke i bërë të banueshme, pasi atje nuk ka mbetur më njëri e as pleqtë, se rinia ka iku me vakt” – tha Rama duke shtuar se Eloni do cilësohet investitor strategjik dhe do jepet liri kreativiteti, dmth të investojë ku ti dojë qejfi e ku ti dojë palla e dollarit.

Ndërkohë në mes të bashkëtakimit me gazetarët, kryeministrit Rama i mbërriti një Tweet nga Erion Veliaj ku e informonte se kishte ndodhur një bashkëkeqkuptim.

Vetë Elon Musk e kishte sqaruar Veliajn, se kur shkroi postimin në Twitter, pa dashje kishte shtypur butonin “caps lock” dhe fjala DASH i doli me germa kapitale. Në të vërtetë, bëhej fjalë për të blerë kompaninë Dash, pasi kishte interes për tu përfshirë në tregun e detergjentëve dhe larjes së rrobave.

Megjithatë për faktin që delegacioni shqiptar kishte bërë gjithë atë udhëtim nga Shqipëria deri në Amerikë, Elon Musk u ofrua ti qeraste me një kafe.

Por meqënëse Eloni është biznesmen, Erioni i tha me xhentilesë se Kodi i ri Kryeministror nuk e lejonte të pinte kafe me njerëz të profesioneve fitimprurëse. Takimi përfundoi me një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.

By Malukat Llagapi

Malukat Llagapi është gazetar fjalë pak, punë pak dhe modest akoma më pak. Ka mbaruar studimet për veteriner dhe prej 3 vitesh është ende në provë për tu marrë në punë. Shefi e ka me sy të mirë sepse ai është i vetmi që i lan makinën më mirë sesa lavazhi special.