Që kur nisi mandati i tretë, kreu i Qeverisë Edi Rama ka përveshur mëngët dhe ka dalë në çdo cep të Shqipërisë duke pastruar mbeturina. Ai ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune i cili do të analizonte situatën dhe të inceneronte një përgjigje për pyetjen: Përse shqiptarët i hedhin mbeturinat vend e pa vend?

Grupi i punës iu besua fillimisht Arben Ahmetajt, por ai deklaroi se kishte hequr dorë nga plehrat. Duke parë se asnjë nga ministrat apo deputetët nuk donin të ishin në krye të këtij grupi pune, Rama vendosi ta marrë vetë drejtimin e tij. Pas një pune kërkimore disa mujore, grupi i punës së plehrave arriti një konkuzion pa konçension.

Ekspertët arritën në përfundimin se shqiptarët i hidhnin plehrat vend e pa vend, sepse ishin popull pa mend, ose e thënë evropiançe, u mungon kultura.

Sapo u njoh me këtë përfundim pa kontestim, Rama lavdëroi grupin e punës për punën dhe meqë e kryen detyrën, shpërndau grupin. Menjëherë pas shpërndarjes, e rimblodhi grupin duke i urdhëruar që të gjenin zgjidhjen e problemit, si të kulturojmë shqiptarët.

Propozimi më interesant mbi këtë problem kulturor ishte ai i Ministres së Kulturës. Ajo u shpreh se bazuar mbi dijet e lashta, nëse shqiptarët nuk shkojnë tek kultura atëherë duhet kultura duhet të vijë te shqiptarët.

Ministrja propozoi që të nisej një turne seminaresh shpjegimore në Shqipërisë por edhe në Vlorë. Nga java në javë, të bashkëbisedohet me shqiptarët duke i prezantuar njerëzit kokëgdhë me kulturën më në zë.

Në fillim shqiptarët do të njihen me kulturën franceze, më pas me atë gjermane e kështu me rradhë deri tek kultura maja. (Sidomos kjo e fundit u duhet sqaruar që nuk ka lidhje me majanë e bukës apo të birrës)

Por meqënëse kultura hyn te ato të pakta produkte që nuk i prodhojmë dot në vend, duhet ti importojmë. Pra me fjalë të tjera tani nuk do importojmë vetëm vaj dhe grurë, por edhe kulturë.

Qeveria ka vendosur që deri sa t’ia arrijmë ditës që të kulturohemi, pra të fillojmë të prodhojmë kulturë me forcat tona, ashtu si edhe monumentet e kulturës mirë është të na i financojnë dhe  administrojnë të huajt.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.