Edi Rama

Edi Rama ka lindur në Tiranë në 4 korrik 1964.

Që në vogëli i pëlqenin shumë zogjtë plot ngjyra por preferonte ata që cicëronin me 140 karaktere. Nga afeksioni pas ngjyrave i lindi edhe dëshira për lyerjen e kafazëve të gardalinave dhe kanarinave. Ndonjëherë bashkë me kafazët lyente edhe zogjtë dhe këtë e shpjegonte si nevojë e brendshme e zogjve për të rilindur.

Kur pa talentin e të birit për ngjyrat, i ati Kristaqi gdhendi edhe më shumë tek ai pasionin për pikturën, duke parë me prespektivë që profesioni i bojaxhiut ishte shumë i vlerësuar në atë kohë. Për të shpëtuar muret e lagjes nga arti modern, Edin e futën në liceun artistik ku ngjyrosjen nuk ta merrnin për ters.

Peneli u bë arma e tij më e fortë me të cilën shprehte veten dhe vetveten.

Ndonjëherë linte penelin dhe rrëmbente penën të cilën e kishte krijuar nga sekuestrimi i puplave të zogjve dhe shpaloste pasionin e tij më të ri, të shkruarit. Sqarojmë se në atë periudhë adoloshentore Edi Rama gjente tek vetja nga një pasion të ri cdo javë. Shkrimet e para ishin letrat e falsifikuara gjoja të lëshuara nga prindërit të cilët i kërkonin leje shkollës për mungesat pa arësye. Nga këto shkrime perfeksionoi kaligrafinë e vecantë që ngjante si një firmë mbi leje ndërtimi.

Por jeta e tij nuk gjallonte vetëm mes pasionesh pasi djaloshi Edi Rama nisi të rebelohej ndaj autokracisë familjare dhe tabuve shoqërore të cilat e detyronin të hidhte mbeturinat në koshin e lagjes. Për të shpëtuar nga ky siklet sistematik i përnatshëm nisi të stërvitej si basketbollist me qëllim që të mësonte si të bënte topin e mbeturinave kosh direkt nga ballkoni. Për hir të së vërtetës ishte i shkathët madje gjithmonë shënonte trepikësh.

Falë angazhimit me sportin e basketbollit fitoi edhe dy gjëra mjaft të vlefshme: gjatësinë trupore dhe njohjen me shokun e shëndetshëm të skuadrës Ilir Beqaj i cili në fushë triblonte si një ministër. Gjithsesi gjatësia 2 metra mbi nivelin e detit i dha mundësinë Edi Ramës të ishte mbi nivelin e shokëve dhe për më tepër të ishte gjithmonë disa hapa para tyre dhe kjo falë shalsit …dmth shalëve të gjata.

Në shtëpinë e të atit ishte i ndaluar shikimi i shfaqjeve të huaja në televizor por Edi Rama i etur për kulturë occidentale nisi ti ndiqte emisionet e huaja nga televiziori i komshiut të katit të sipërm pasi i arrinte koka deri tek parvazi i ballkoni. Kur banorët e kapnin mat duke përgjuar nga ballkoni, ai niste tu rregullonte telat e rrobave dhe u shpjegonte komshinjve rëndësinë e një bashkëjetese në komunitet dhe rregullimin e territorit të ballkonit. Kjo ndihmoi në tranzicionin e më vonshëm nga basketbollist në kryetar bashkie.

Ashtu si aktori Bud Spencer që njihej si Këmbëmadhi i Egjiptit, edhe Edi Rama bë personazh në lagje si Këmbëgjati i 21-njishit. Këtu u ndërthur për herë të parë sporti me artin.
Meqënëse ra fjala tek arti, Edi për shumë kohë ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve por edhe autor i librave mes tyre edhe ai më i njohuri ndërbotërisht “Mu bofsh Kurban“.

Gjithashtu, ai ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, i cili është i vetmi njeri me mbiemrin “Sala” që i ka mbijetuar shoqërisë me Edin.

Përfshirja e Edi Ramës në jetën politike zë fill kur i kërkuan të drejtonte lëvizjen studentore në Akademinë e Arteve. Studentët kërkonin lirinë e të shprehurit, demokracinë e të vepruarit dhe cmime më të ulëta të byrekëve me gjizë nga kioskat pranë akademisë. Por mafiozët e monopolit të byrekëve dhe të dhallës (adriatiku nuk hyn fare këtu) e kërcënuan të hiqte dorë nga ky muhabet deri sa zgjodhi mërgimin në Francë.

Edhe atje nuk i rrinte pena rehat por shkruante si i tërbuar kundër qeverisë së Sali Berishës. Por letrat me shkrime disidente mbërrinin me vonesë në Shqipëri dhe kur u hapën zarfet postare në pushtet kishte ardhur kryeministri Fatos Nano.

 Nanos i pëlqeu ky djalosh që merrte vesh nga të gjitha dhe ishte i pajisur me kulturë occidentale ndaj i dha një post që nuk po ja pranonte askush: Ministrinë e Kulturës. Gjatë kësaj kohë, Edi Rama fitoi simpatinë e publikut si njeri më kyltyrë dhe hazërxhevap.

Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës duke shënuar kosh, ec aty, një fitore të thellë ndaj rivalit Besnik Mustafaj. Nga fitorja mori yrysh dhe rrafshoi cfarë gjente përpara. Ato pallate që nuk i rrafshoi dot, nga inati ua ngjyrosi fasadat me lloj lloj ngjyrash.

Kur pa se Edi Rama kishte marrë kot, kryeministri Fatos Nano duke nxjerrë si sebep humbjen e zgjedhjeve në 2005 dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste. Meqë askush nuk ja mbante ti dilte para të gjatit, kongresmenët e votuan njëzëri Edi Ramën duke e zgjedhur kryetar të PS.

I frymëzuar nga Moisiu i Egjiptit, Edi Rama profetizoi se 7 vitet me bollëk gjatë Nanos do të pasoheshin me 7 vite urie e skëterre gjatë Berishës. Për tua shpjeguar edhe më mirë profecinë ngriti një tendë beduine në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe futi në grevë urie shumë nga ndjekësit e tij.

Shyqyr që socialistë u kujtuan tja shprehnin se e kuptuan profecinë dhe me ndërhyrjen pozitive të ndërkombëtarëve, Edi Rama e ndërpreu grevën dhe e udhëhoqi Partinë Socialiste gjatë viteve të vështira në opozitë deri në fitoren të 23 qershorit 2013.

Edi Rama flet anglisht, italisht, frengjisht, kryetarisht, serbisht dhe twitterisht. Shpesh mban veshur tuta dhe flet me batuta.