Protestat kundër racizmit shkaktuan heqjen e statujave e njerëzve që konsiderohen racistë madje nuk kanë kursyer as statujat e Leopoldit të Belgjikës, Çurçillit apo edhe Kristofor Kolombit.

Kjo valë protestash sigurisht preku edhe Shqipërinë e cila ka jo pak statuja të shumë diskutuara për biografitë e tyre. Ndaj me rekomandimin e Kryeministrit u autorizua një grup studiuesish për të verifikuar personalitetet shqiptare të cilët kanë statuja ose që janë në proces të vendosjes së statujave.

Kërkimet e para ishin befasuese pasi rezultoi se themeluesi i shtetit shqiptar vetë Ismail Qemal Vlora përdorte një fjalor të pazakontë. Sipas dokumentave të asaj kohe, Ismail Qemali gjatë korrespondencave u drejtohej ministrave me fjalët “katundari i dreqit, lamashi i leshit, laluci i poshtër” e shumë të tjera si këto. Madje thuhet se ditën e shpalljes së pavarësisë kur pyeti për Isa Boletinin, paska thënë “Pse po vonohet ai maloku?”.

Vec këtyre shprehive diplomatike që përdoren edhe sot, u zbulua se Ismaili gjithmonë e porosiste kafen makjato me sheqer të bardhë pasi e urrente të zezën. Ditën kur i vonohej rroga në bankë, e quante “qameti i zi” dhe mjerë ai ministër që i dilte para syve sepse shefi i kërkonte ca franga borxh për ti vendosur në skendina për Juventusin. (kësaj skuadre i qëndroi besnik deri ditë që Juventus futi në formacion futbollistin e parë me ngjyrë).

Gjatë një sherri me ministrin e financave Luigj Gurakuqin që nuk pranonte të firmoste një PPP, i tha në mes të mbledhjes “ta nxjerr ujin e zi mor zhuls”.

Pandeli Sotiri në kujtimet e veta dëshmon se njëhere ju desh ta përsëriste tenderin e artikujve të kancelarisë për ministritë pasi Kryeministri Qemali refuzonte të firmoste dokumentat me stilografë me bojë të zezë.

Kryeministri Rama me të lexuar raportin mbi figurën e plakut të Vlorës mblodhi qeverinë në këshillin e ministrave dhe u bëri të ditur rezultatin e studimit ku racizmi i Ismail Qemalit ishte i vërtetuar qartë si e zeza në të bardhë.

“Përballuam me sukses tërmetin, kaluam shkëlqyeshëm koronën, për reformën zgjedhore i pasova topin ambasadores Kim dhe ajo ja ngeci Bashës. Ndaj nuk është koha që opozita të fillojë protestat për dava statujash” u tha Rama ministrave duke shtuar se “Vërtet e kam nga zona ime elektorale, ama unë nuk fal askënd që nuk e kalon vetingun”.

Më pas Rama propozoi heqjen e statujës së Ismail Qemalit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duke marrë miratimin unanim. Ndërkohë Kryeministri porositi të vijonte puna për vetingun e statujave të tjera dhe të lejohen të qëndrojnë vetëm ato që i kanë biografitë të bardha si bora.

Bashkia e Tiranës e ngarkua me detyrën e heqjes së statujës e cila u bë gjatë paradites së sotme.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh i kënaqur pasi me bronzin e statujës mund të ndërtonin disa kolovajza për fëmijë dhe të vendoseshin tek parku Rinia madje nëse do hiqeshin mjaftueshëm statuja, vetëm me Tiranën mund të nxirrej mjaftueshëm hekur edhe për të ndërtuar Teatrin e Ri.

By Ormonjola Tallazi

Ormonjola Tallazi është gazetarja më në zë, të cilë nuk i ndihet zëri, madje nuk i ndihet as puna. Por e njeh mirë fushën e saj që në kohën kur bënte reportazhe fushave. Njihet për reputacion të patundur, vec rasteve kur e tund shefi.