Dy hajdutë kishin arritur të hapnin me forcë derën kryesore të një banesë në Tiranë në pronësi të një biznesmeni për të cilin kishin informacione se kishte sende të cmuara në dhomën e tij të gjumit. Banesa ishte e pajisur me një sistem alarmi i cili ishte aktivizuar sapo ishte hapur dera forcërisht dhe kishte dërguar sinjal tek forcat e policisë.

Por një rastësi e papritur ndryshoi rrjedhën e ngjarjve.

Në momentin kur dy keqbërësit nisën kontrollin në dhomën e gjumit, papritur bie zilja e celularit që gruaja e biznesmenit e kishte harruar mbi krevat. Celulari kishte si ringtone refrenin e këngës së njohur “Bon Bon” të Era Istrefit.

Volumi i lartë i celularit dhe zëri i këngëtares që i mshonte fort fjalëve  “Bon Bon” i tromaksi hajdutët të cilëve ju duk sikur po i qëllonte dikush me armë. Menjëherë dy hajdutët e mblodhën veten dhe u dhanë këmbëve dhe kështu arritën të largoheshin në kohë pa rënë në duart e policisë e cila mbërriti në vendngjarje pas pak minutash.

Gjatë hetimeve ekspertët e policisë kuptuan se kënga “Bon Bon” kishte larguar hajdutët dhe kishte shpëtuar nga vjedhja një sasi prej 150 mijë Euro që biznesmeni i mbante në shtëpi.

Fakti që ata ishin trembur nga kjo këngë aq e dashur për të rinjtë, u dha të kuptonte policisë se hajdutët duhet të ishin mbi 40 vjecarë, pasi po të kishin qenë adoloshentë do gjendeshin ende në banesë dhe policia do ti arrestonte në flagrancë teksa kërcenin “Bon Bon”.

Biznesmeni u ndje i çliruar që shuma e parave dhe sendet e çmuara kishin shpëtuar falë një kënge dhe menjëherë ka falenderuar publikisht Era Istrefin.

“Asnjëherë muk e kisha menduar se një këngë nga këto me Bon Bon do ti bënte një shërbim të tillë banesës time dhe komunitetit” u shpreh i mallëngjyer biznesmeni i cili shtoi se ishte i gatshëm të sponsorizonte këngë që përmbajnë bon bon, ham ham e me bomba e granata.

Ndërkohë disa kompani që prodhojnë sisteme alarmi për zyra dhe banesa kanë aplikuar tek menaxheri i Era Istrefit për të siguruar të drejtat e refrenit “Bon Bon” për ta implementuar në sistemet e ardhshme të alarmeve.

By Ermanjushka Bubqellasi

Ermanjushka Bubqellasi është gazetare jo vetëm me përvojë por edhe me eksperiencë. Që në fillimet e saja si zhurnaliste u bë e njohur për shkak të pyetjeve me spec, kjo falë viteve që kaloi duke shitur speca në dyqanin e familjes.